Manchester United është mposhtur në udhëtim ndaj Copenhagen me rezultat 4:3 në Danimarkë.
Ishte një ndeshje e çmendur me kthesa të shumta në rezultat dhe nën një atmosferë impozante nga tifozët danezë.
Si fillim, “Djajtë e Kuq” u pritën me një banerë të madh që shkruante: Teatri juaj i makthit.
Por, tifozerinë dhe atmosferën e danezëve e heshti pikërisht një danez.
Ishte Rasmus Hojlund që realizoi dy herë për epërsinë e dyfishtë të mysafirëve.
Fillimisht ai realizoi në minutën e tretë, kurse golin e dytë personal e arriti 25 minuta më pas.
Dhe kur mendohej se do të ishte thjesht një fitore e lehtë për anglezët, minuta e 42 ishte ajo që i prishi të gjithë gjërat për ta.
Marcus Rashford u ndëshkua direkt me karton të kuq, kurse vendasit barazuan shifrat me dy gola të shpejtë pa u mbyllur pjesa e parë.
Elyounoussi shënoi për të ngushtuar epërsinë në mintuën e 45-të, kurse në shtesat e fraksionit të parë u shënua edhe goli i dytë nëpërmjet Goncalves.
E pjesa e dytë ishte e zjarrtë si e para.
Bruno Fernandes riktheu epërsinë e mysafirëve, duke shënuar nga penalltia në minutën e 69-të të ndeshjes.
Por, danezët gjetën forcën për të bërë një tjetër rikthim të madh, kësaj here për ta fituar komplet ndeshjen.
Lerager barazoi shifrat në 3:3 në minutën e 83-të, kurse në të 87-tën Bardghji shënoi për fitoren e madhe të Copenhagen, që e mban në lojë për kualifikim tutje.
Kjo pasi që fitorja e ngrit Copenhagen në vendin e dytë me katër pikë, aq sa ka edhe Galatasaray një vend më poshtë.
E tani Manchester United gjendet i fundit në tabelë me tri pikë pas katër ndeshjeve.