Është arrestuar i dyshuari M.B. për veprat penale prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore dhe për tregti të ndaluar.
Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Pejë kanë zhvilluar operacione në tri barnatore, ku njërën nga to kanë hasur shitje të produkteve farmaceutike pa banderola.
“Operacion ka qenë i koordinuar se bashku edhe me Inspektorët Farmaceutik nga Ministria e Shëndetësisë. Gjatë kontrollit në dy biznese nuk janë gjetur parregullsi, ndërsa në biznesin e tretë, në bagazhin e automjetit i cili ishte i parkuar para këtij biznesi, janë gjetur 22 lloje të barnave, gjithsej 561 paketime pa banderola, me prejardhje nga Turqia”, thuhet në njoftimin e policisë.
Produktet dyshohet se ishin kontrabanduar dhe ishin të rrezikshme për jetën e qytetarëve.
Për rastin është njoftuar prokurori i çështjes nga PTH-Pejë, i cili ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orë për të dyshuarin.