Eksperti i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi tha se informacioni për atentat ndaj kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhiku dhe disa deputetëve të tjerë nuk do të duhej të bëhej publik nga LDK.
Kajtazi në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se ky informacion, nëse do të duhej të bëhej publik, do duhej ta bënte Policia e Kosovës pas kryerjes së hetimeve preliminare.
“Ata u dasht me pas aty dikon që din qysh menaxhohet si një informacion si ky, është informacion shumë serioz. Ideja ime është që s’është menaxhu mirë. Në qoftë se një shërbim informativ, ta ka lon ty një info të këtij niveli duhet të merret shumë seriozisht, dhe është dashtë të menaxhohet në një mënyrë tjetër.
Informacionin s’është dashtë me bo publik LDK’ja, në qoftëse ish dasht që informacioni me u bo publik është dasht me bo Policia e Kosovës, pasi t’i kryn hetimet preliminare”.
Megjithëkëtë, Kajtazi tha se ky informacion duhet të merret seriozisht.
“Derisa të sqarohet situata, kjo duhet të merret seriozisht, për arsye se në rajon ka elemente e grupe që janë të prirura për me i bo këto gjëra”.