Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe deputetja e kësaj partie, Ganimete Musliu, kanë konfirmuar të enjten se janë njoftuar nga policia se emrat e tyre janë përmendur në të njëjtin rast me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për tentim për atentat.
Krasniqi në një deklarim para mediave, ka thënë se nuk ndihet i frikësuar, duke shtuar se beson në institucionet e sigurisë në Kosovë.
“Jemi kontaktuar nga Policia e Kosovës lidhur me rastin që tashmë është bërë publik për deputetët e LDK-së se ka qenë i përfshirë edhe emri im dhe i deputetes Ganimete Musliu. Na kanë njoftuar për masat që janë duke i ndërmarrë për këtë çështje dhe do të jemi në komunikim, të mëtejmë. Nuk ka nevojë për t’u frikësuar. Jemi në vendin tonë. Kemi institucionet tona të sigurisë”, është shprehur lideri i PDK-së.
Se nuk ndihet e frikësuar ka thënë edhe deputetja Musliu, duke theksuar se është e gatshme për të bashkuar me organet e rendit për çfarëdo informacioni që ata kërkojnë lidhur me këtë rast.
“Nuk ndjehem e frikësuar. Kam besim të plotë në organet e rendit të vendit tim. Do të jem e gatshme për bashkëpunim për çdo informacion që ata kërkojnë nga ana ime si deputete”, ka deklaruar deputetja.