Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të duhej të raportonte në Kuvendin e Kosovës për ultimatumin që ka marrë nga pesë emisarët të shtunën para se të shkojë në Greqi për të ligjëruar për probleme globale, shkruan Express.
Halimi tutje ka shtuar se Kurti e ka përbrendësuar qasjen mosbesuese ndaj opozitës, medias dhe miqve të Kosovës dhe sipas saj tashmë ai ka hyrë në ujëra të turbullta me politika konfliktuoze.
Zyrtarja e LDK-së ka pasur kritika edhe për Kuvendin e Kosovës, duke thënë se Qeveria po e kontrollon Kuvendin në vend se të ndodh e kundërta. Sipas saj, një deformim i tillë është rrezik shtesë për shtetin.
Reagimi i plotë:
Kryeministri do të duhej të raportonte në Kuvend për ultimatumin që ka marrë nga pesëshja që përfaqësojnë aleatët strategjik të Kosovës, para se të ligjërojë nga Greqia për trazirat në Evropë e problemet në të katër anët e botës.
Shumë popullist në mitingje zgjedhore e njeri i prapaskenës në veprime, kryeministri ka përbrendësuar një qasje mosbesuese kundruall opozitës, medias e miqve të Kosovës dhe çka është më e frikshmja, ai ka hyrë në ujëra të turbullta me politika konfliktuoze.
Kuvendi në anën tjetër, jo vetëm që nuk e kryen detyrën e tij, por shpesh abuzon me të drejtën e deputetëve të shumicës që lirshëm të deklarohen. Tempulli i demokracisë nuk është zgjatim i ekzekutivit; i pari e mbikëqyr dhe kontrollon këtë të dytin. Ky deformim, kjo stërkeqje e konstitucionalizmit shtetëror, është rrezik shtesë për Republikën tonë!