Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka pasur kërcënime ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa prej deputetëve të këtij subjekti politik.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për RTKlive se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin në fjalë.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë”, ka thënë ai.
Zëdhënësi Kelani ka thënë se të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Ndryshe, sot në media është raportuar se një grup tashmë i identifikuar po planifikon atentat ndaj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut dhe disa deputetëve të partisë së tij.
E për këtë rast një prej deputetëve të kësaj partie ka deponuar informacionet në një stacion të policisë në Prishtinë.