F.B.
Izraeli u përfshi së fundmi në një konflikt me organizatën terroriste Hamas, me ç’rast edhe u ndal çdo aktivitet sportiv në këtë vend.
Loja me Zvicrën, e paraparë të luhej këtë të enjte, u shty, ndërsa izraelitët presin që një gjë e tillë të ndodhë edhe me ndeshjen ndaj Kosovës, e planifikuar të luhet këtë të diel në Prishtinë.
Presidenti i Federatës Izraelite të Futbollit, Moshe Zuares nuk pret që loja me
“Dardanët”, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024, të luhet këtë javë.
Sipas tij, në Izrael askush s’e ka mendjen tek futbolli, derisa presin që UEFA ta caktojë një datë tjetër për ndeshjen me Kosovën, pasi të qetësohet situata në vendin e tij.
UEFA në një njoftim të disa ditëve më parë ka thënë se do të dalë shumë shpejt me një vendim zyrtar për lojën Kosovë – Izrael, e cila sipas të gjitha gjasave nuk do të luhet.
Zuares, por edhe të gjithë të tjerët, shpresojnë që kjo situatë mes Izraelit dhe Palestinës të përfundojë sa më shpejt dhe dy vendeve t’ju kthehet normaliteti.
Kosova dhe Izraeli kishin barazuar 1:1 në përballjen e tyre të parë në kuadër të Grupit I të eliminatoreve për Euro 2024.