Në tribunën e stadiumit “Çika Daça”, një tifoz i maskuar i futbollit e thirri turmën që të ngrihej në këmbë dhe t’i ngriste duart lart.
“Tre, dy një…”, burri e nisi një numërim mbrapsht përmes altoparlantit të tij.
“Kosova është Serbi”, bërtitën njëzëri disa qindra tifozë, pak minuta para se të fillonte loja.
Tifozë mysafirë ishin anëtarë të tifo-grupit “Delije”, emri i ultrasve famëkeq të Crvena Zvezdës së Beogradit, të cilët për një kohë të gjatë e kishin një reputacion negativ pasi njiheshin për shkaktimin e dhunës dhe janë të njohur për pikëpamjet e tyre nacionaliste të pikës më të lartë të mundshme.
Vetëm për ta parë ekipin e tyre të zemrës, tifozët kishin udhëtuar të shtunën që shkoi në qytetin industrial të Kragujevcit, 90 minuta rrugë me makinë në jug të Beogradit.
Këngët e tyre pro-serbe u duartrokitën dhe u përsëritën nga tifozët e ekipit vendës, Radniçki 1923, të ulur në ndenjëset e betonit në anën tjetër të stadiumit, shkruan mediumi britanik “The Guardian”, i cili ia kushtoi një shkrim special situatës së fundit të krijuar në Kosovë, përcjell “Gazeta Express”.
Para se të mbyllej pjesa e parë, “Delije” e shfaqën banerin ku shkruante: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
Pak vende në Ballkan e shfaqin dhe e zbulojnë politikën e paqëndrueshme etnike të rajonit, aq sa ndodh kjo në stadiumet e futbollit, ku tifozët rregullisht këndojnë dhe thirrin me sharje, të cilat i kujtojnë aksionet e spastrimit etnik të viteve të 90-ta.
“Ne duhet të mbarojmë punë me ta, t’i ndalojmë të zvarriten nëpër këmbët tona”, tha një tifoz llafazan dhe truphollë i Crvena Zvezdës, duke mos dashur ta tregonte emrin e tij.
Ai nuk ishte duket iu referuar ekipit kundërshtar, por popullatës etnike shqiptare, e cila e ka deklaruar pavarësinë nga Serbia 15 vjet më parë, pothuajse një dekadë pas kryengritjes guerile kundër sundimit serb.
Pjesa më e madhe e lojës u përshkua me hedhjen e fishekzjarrëve dhe e mjeteve të tjera plasëse, ndërsa loja e futbollit për tifozët ishte në plan të dytë.
Ultrasit e klubit serb, njëjtë si të tjerët në atë ditë, kishin veshur fanella me fytyrën e Stefan Nedeljkovic, njërit prej tre serbëve etnikë të vrarë pas pritës që ia bënë Policisë së Kosovës, paraushtarakët serbë, që rezultoi me vrasjen e një pjesëtari të Policisë kosovare, duke bërë që të shkaktohej kaosi dhe kriza më e madhe rajonale mes Beogradit dhe shtetit të pavarur të Kosovës.