F.B.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur për praninë e Aleancës veri-atlantike nëpërmjet misionit të saj KFOR në Kosovë.
“Po ashtu adresojmë edhe praninë tonë në Kosovë. Ne kemi rritje të tensioneve atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, ka theksuar Stoltenberg, në nisje të takimit dyditor të ministrave të mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s.
Stoltenberg, mbajti konferencë të përbashkët me presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelensky.
Ndërsa, Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s të enjten do të diskutojnë për situatën në Kosovë, pas sulmit nga grupi paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Sipas njoftimit të NATO-s, ministrat e Mbrojtjes të shteteve anëtare do të takohen sot dhe nesër në Bruksel. Më 12 tetor [nesër], do të diskutohet për Kosovën.
Përveç Kosovës, NATO-ja do të diskutojë edhe për Ukrainën, zhvillimet në Lindjen e Mesme pas konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit dhe dëmtimin e gazsjellësit në Finlandë. Diskutime do të ketë edhe për forcimin e mëtejmë të mbrojtjes së NATO-s.