F.B.
Trajneri i Kosovës U21, Afrim Tovërlani konsideron se Bullgaria nuk duhet të nënvlerësohet pavarësisht se nuk është Gjermania apo Polonia.
Kombëtarja e Kosovës U21 i ka filluar përgatitjet për ndeshjen e radhës në Grupin D në kuadër të kualifikimeve për Euro 2025, e cila zhvillohet më 17 tetor Sofje.
“Gjendja nuk është e keqe por as më e mira jo. I kemi tri mungesa të rëndësishme: Liridon Emërllahu, Elvis Letaj dhe Florian Haxha, që për një kombëtare si Kosova nuk është e lehtë t’i zëvendësosh. Por, atyre që do t’u jepet rasti duhet ta shfrytëzojnë. Bullgaria është një kundërshtare që nuk mund të themi se është sikur Gjermania dhe Polonia, por nëse nuk i kryejmë detyrat me shumë disiplinë e angazhim mund të pësojmë edhe më keq. Mirëpo, mendoj se kundër bullgarëve e kemi më lehtë të përballemi sesa ndaj dy kundërshtarëve paraprakë, të cilët janë favoritë të grupit. Duhet të përgatitemi në mënyrën më serioze pavarësisht emrit të kombëtares kundërshtare”, ka theksuar Tovërlani. “Sigurisht se në këtë ndeshje do ta ndryshoj edhe sistemin e lojës, ngase kundër gjermanëve kam qenë i detyruar të luajmë në mbrojtje sepse niveli i tyre ishte shumë më i lartë”.