F.B.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka publikuar të premten shkresën zyrtare të cilën ia ka dërguar Dioqezës Rashkë-Prizren dhe peshkopit Teodosije, për t’i kërkuar bashkërendim të veprimeve për restaurimin e Manastirit të Banjskës.
Ai ka thënë se në këtë mënyrë konkretizohet zotimi i dhënë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 27 shtator 2023 për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator.
“Konform detyrimeve, autorizimeve kushtetuese dhe ligjore ftojmë autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për bashkërendim të veprimeve deri në ndërhyrjet e nevojshme restauruese për sanimin e dëmeve në këtë aset të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar Çeku në Facebook.