Rusia dhe Ukraina po përballen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pretendimet e Moskës për gjenocid ndaj rajoneve lindore të populluara me rusë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po mban seanca dëgjimore publike mbi kundërshtimet paraprake të ngritura nga Federata Ruse në çështjen lidhur me pretendimet për gjenocid sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.
Ukraina paraqiti një padi kundër Rusisë në GJND më 26 shkurt 2022, dy ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë.
Rasti është për ditët e para të luftës në Ukrainë, kur Rusia përdori akuza për gjenocid në rajonet në Ukrainën lindore për të justifikuar atë që Rusia e quajti një “operacion special ushtarak”. Kievi po akuzon Moskën për pretendime të rreme për akte gjenocidi, duke shkelur kështu konventën. Moska thotë se Ukraina po e përdor rastin si një mënyrë anashkalimi për të arsyetuar ligjshmërinë veprimeve të saja ushtarake.
Në seancat dëgjimore që nisën të hënën, palët filluan të paraqesin argumente mbi përgjegjësinë e gjykatës së OKB-së.
Federata Ruse filloi të hënën, ndërsa të martën do të pasohet nga Ukraina. Të mërkurën, 32 shtete ndërhyrëse (mes tyre kryesisht shtete anëtare të BE-së, por edhe Kanadaja, Australia dhe Britania e Madhe), do të japin opinionet e tyre për rastin.