KOSTT nënshkruan kontratë me Komunën e Malishevës për shfrytëzim të pronës për ndërtimin e Nënstacionit në Malishevë.
KOSTT njofton se kontrata e nënshkruar është për shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale ndërmjet kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Evetar Zeqiri dhe kryetarit të Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati, për ndërtimin e Nënstacionit të ri 220/35/10(20)kV Malisheva me linjën transmetuese 220kV.
Zeqiri ka thënë se me nënshkrimin e kësaj kontrate, sot po vendosen themelet e para për ndërtimin e Nënstacionit të ri në Malishevë.
‘’Me nënshkrimin e kësaj kontrate, ne sot po vendosim themelet e para për ndërtimin e Nënstacionit të ri në Malishevë, projekt ky përveç rëndësisë që e ka në përforcimin dhe zhvillimin e rrjetit të transmetimit, njëkohësisht krijon kushte për integrim dhe operim të sigurt të burimeve të ripërtërishme të energjisë në atë rajon, e që janë objektiva afatgjate të politikave energjetike të vendit’’, thuhet në njoftimin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregu-KOSTT.
Tutje thuhet se përveç kontratës për shfrytëzim të pronës, KOSTT tashmë ka kontraktuar kompaninë konsulente e cila do të bëjë përgatitjen e dokumentacionit ndërtimor projektues për NS 220/35/10(20)kV Malisheva me linjën transmetuese 220kV.
Pas përgatitjes së projektit ndërtimor, në fillim të vitit të ardhshëm pritet të tenderohet ndërtimi i nënstacionit.
Ndërtimi i nënstacionit të ri 220kV, në vlerë prej 5.8 milionë euro i cili parashihet të përfundojë në vitin 2027, garanton siguri të furnizimit me energji elektrike për Malishevën dhe mbështetet zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.