F.B.
Federata Boliviane e Futbollit (FBF) ka pezulluar dy nivelet kryesore të futbollit të vendit dhe kjo vjen si pasojë e hetimeve të vazhdueshme për trukime ndeshjesh.
Hetuesit në këtë rast pretendojnë se i gjithë sistemi në këtë ligë bazohet në manipulimin e rezultateve dhe objekt hetimi i tyre kanë qenë drejtues klubesh, lojtarë dhe një pjesë e madhe e organizimit të gjyqtarëve.
Gjithçka erdhi si pasojë e rrjedhjes së përmbajtjeve eksplicite që ishin rezultat i përgjimeve dhe një procesi intensiv ku mblidheshin informacione dhe vendimi për përfundimin e kampionatit u mor me 14 vota “pro” dhe një kundër.
Mediat vendase shkruajnë se vendimi ka hyrë në fuqi shtatë ditë pas akuzave të para nga komisioni disiplinor, i cili publikoi një duzinë audio-regjistrimesh inkriminuese, ku flitet për një “rrjet kriminal” të plotë që përfshin drejtuesit e më shumë se gjysmës së kategorisë së parë dhe të dytë, lojtarët dhe gjyqtarët.
Në fund, Federata e Futbollit të Bolivisë i dërgoi një kërkesë zyrtare organit më të lartë të futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL) për t’i lejuar ata të organizojnë një kampionat të ri në një format të ngushtë, i cili duhet të mbahet në vjeshtë dhe dimër.