F.B.
Lionel Messi nuk është aspak pishman që nuk mbeti në futbollin e niveleve të larta, në atë evropian.
Pasi vendosi të largohej nga Paris Saint-Germaini pas qëndrimit prej dy vjetësh aty, ylli argjentinas secilën ditë shihej gjithnjë e më afër rikthimit në Barcelonë, ndërsa nuk i kishte në opsion klubet arabe, përkundër faktit se ato e joshnin me oferta stratosferike,
Sidoqoftë, 36 vjeçari i befasoi të gjithë duke u transferuar në fund në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht në ekipin Inter Miami.
E tash, një muaj e gjysmë pasi iu bashkua klubit nga liga MLS, kampioni i botës me Argjentinën thotë se nuk është aspak pishman me zgjedhjën që e bëri.
Madje, ai po e shijon në maksimum eksperiencën në klubin amerikan, por edhe jetën e re amerikane.
“Ishte shumë më e lehtë se që e mendonim, sepse e kishim eksperiencën e ndërrimit të qyteteve nga Barcelona në Paris dhe ishte shumë më e komplikuar. Kjo e tashmja (zhvendosja në Miami) ishte krejt diçka ndryshe”, theksoi Messi fillimisht në konferencë për shtyp sonte.
“Sot mund të them se jam mjaft i lumtur me vendimin që e kemi marrë, jo vetëm për aspektin sportiv, por edhe për familjen time, për mënyrën se si jetojmë ditë pas dite, për qytetin dhe për mikpritjen e njerëzve, e cila ishte e jashtëzakonshme, jo veç në Miami, por edhe në përgjithësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi aty ku donim të ishim”, vazhdoi shtatë herë fituesi i Topit të Artë.
Messi po bëhet gati për ndeshjen më të rëndësishme prej që është transferuar në Inter Miami, atë të së shtunës kundër Nashville SC në finale të Kupës së Ligës.
Argjentinasi synon t’ia sjellë ekipit të tij të ri trofeun e parë në histori, ndërsa deri tash i ka realizuar plot 9 gola në 6 ndeshje.