F.B.
Albion Rrahmani është futbollist i ri i Rapid Bukureshtit.
Ylli kosovar ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin rumun, i cili e prezantoi edhe zyrtarisht sot në gjirin e tij.
Futbollisti j deridjeshëm i Ballkanit ndihet i lumtur që iu bashkua klubit të madh rumun, ndërsa atij mirëseardhje i ka uruar klubi i tij i ri.
“Ndihem mjaft mirë, mezi pres ta nis këtë aventurë. Shpresoj t’i shfaqi vlerat e mia para tifozëve dhe para klubit sa më shpejt të jetë e mundur. Mezi pres të debutoj dhe të bëj paraqitje të mira”, theksoi fillimisht përfaqësuesi i ri kosovar.
“E zgjodha Rapidin për shkak të projektit që do të implementohet këtu. Është një projekt mjaft i mirë dhe ndiej se ishte zgjedhja e duhur për të qenë këtu, pjesë e këtij projekti”, përfundoi Rrahmani, i cili ishte golashënuesi më i mirë në Kosovë në edicionin e fundit dhe shkëlqeu edhe në garat evropiane me kampionët e Kosovës.