F.B.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar lidhur me situatën e djeshme të bojkotit të konferencës së ministres së Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë, Rozeta Hajdari, nga ana e gazetarëve.
Në reagimin e AGK-së thuhet se e kanë përcjellë me shqetësim presionin publik që deputetët e Vetëvendosjes kanë bërë ndaj gazetares së RTK-së, Edona Podvorica, e cila e ka bojkotuar konferencën për shtyp, bashkë me shumicën e kolegëve të medieve tjera.
AGK-ja e konsideron bojkotin e së martës si formë legjitime të protestës së gazetarëve dhe medieve dhe fton partinë në pushtet të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik.
Gjithashtu, AGK fton menaxhmentin e RTK-së të mos ndikohet nga presioni i pushtetit në raportim me veprimin e ekipit të vet në terren. Ndryshe, dje deputeti Valon Ramadani ka shkruar se “si duket, ky institucion i qenka shmangur obligimit ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e Ministres Rozeta Hajdari”. Në vijë të njëjtë ka shkruar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli.