Sot është ditëlindja e 50-të artistit të njohur, humoristit e kritikut të ekranit, të ndjerit Blerim Peci.
Peci ka vdekur në moshën 44 vjeçare, mirëpo rrugëtimi dhe trashëgimia kulturore që ka lënë prapa është përtej dekadave. Ai ishte vula e inovacioneve artistike në vend, si në aspektin televiziv ashtu në aspektin kinematografik.
Këtë e nisi fillimisht pikërisht me “Show Meselation”, e cila ishte thumb për politikën e shpërfaqje për socialen. “Beli” ashtu siç njihet në komunitetin artistik, me një humor tejet të thellë ka arritur t’i bëj të qesh publikun nëpër udhëtimet e tij në kohë, me rolin e tij në serialin televiziv të RTK-së, “Vikendi”.
Në ditëlindjen e tij, e ka kujtuar edhe bashkëshortja me të cilën kanë ndarë shumë projekte së bashku, Afërdita Sopjani – Peci. Ajo ka shkruar se lindja e tij ka qenë fillim i një influence për shumë aspekte njerëzore.
“Edhe në jetë i ke dhanë kuptim njerëzores, sistemit të vlerave edhe në art ke shërby si simbol që me talent, punë e parime mrrihet piedestali ma i naltë. Jeta jote nuk u kanë veç rrugëtim i yti, e ka trasu rrugën edhe për të tjerët në jetë e art”, ka shkruar Sopjani – Peci.
Në mbledhjen komemorative në pesë vjetorin e vdekjes vitin e kaluar, gjatë ceremonisë komuniteti artistik e kolegët si dhe përfaqësuesit e institucioneve kulturore të Mitrovicës kishin shprehur dëshirën që Belin ta kujtojnë në ditën e tij të lindjes dhe jo në përvjetorin e vdekjes. Mirëpo nuk ka ende ndonjë konfirmim nëse premtimi i mbajtur nga ta do të shkojë në vend.
Blerim Peci vdiq më 9 dhjetor 2017.