Korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit kufizojnë investimet nga jashtë. Kështu thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për “Klimën e Investimeve”, e për të cilën analistët ekonomikë vlerësojnë se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë strategji për eliminimin e këtyre çështjeve, të cilat po vendosin një njollë të errët për Kosovës, për klimën e biznesit.
Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e ri për “Klimën e Investimeve” në Kosovë për vitin 2023, ka ngritur një varg çështjesh problematike për klimën dhe investimet e huaja në Kosovë. Duke folur për Radio Kosovën, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë se deklaratat e DASH-it janë shqetësuese. Ai thotë se mos prioritetizimi i luftimit të korrupsionit dhe fuqizimit të sundimit të ligjit, edhe më tutje vazhdon të mbetet një njollë për klimën e investimeve në Kosovë.
“Shqetësuese është prania e korrupsionit dhe ndërhyrja në gjyqësor. Duhet të ketë një plan konkret për luftimin e korrupsionit dhe pritshmëria e të gjithëve ka qenë për një qeverisje ndryshe. Shqetësimi i OEA-së, është nevoja e shtensionimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës, sepse ky aspekt dëmtues në reputacionin e vendit, bashkë me të tjerat të theksuara në raportin e DASH-it, siç është një mjedis i paparashikueshëm, ndërhyrje politike në ekonomi, prani e korrupsionit, qëndrim jo i mirëfilltë apo jo efikas i ligjit, rëndojnë perceptimin negativ që ekziston për Kosovën për thithjen e investitorëve të huaj”, tha Zeka për Radio Kosovën.
Ndërsa, ekonomisti Ardijan Sahiti duke folur për Radio Kosovën thekson se korrupsioni nuk është në përmasën siç ka qenë në kaluarën, por që duhet ende luftimi i saj, për një klimë sa më të sigurt për investime të bizneseve.
“Mungesa e investimeve të huaja në vend është për shkak të faktorëve të tjerë. Mungesa e investimeve të huaja direkte është te pasiguria që mbizotëron te sistemi gjyqësor, problemet e patundshmërive dhe pronave, nivelet e larta të kostove të interesit, e të tjera”, tha ai.
Për investimet e huaja direkte ka folur edhe drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, sipas të cilit, Kosova renditet e parafundit në Ballkanin Perëndimor për investime të huaja, duke theksuar se krizat politike që ndodhin përbrenda vendit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në investimet në Kosovë.
Ndryshe, në raportin e DASH-it theksohet se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ende probleme me korrupsionin, i cili është një pengesë për investimet e huaja direkte, derisa theksohet se investimet e huaja direkte në Kosovë janë të kufizuara dhe shtytësi kryesor ekonomik në vend është remitenca nga diaspora.