RTKlive
Sot ka ndërruar jetë profesori dhe dramaturgu i njohur, Haqif Mulliqi. Lajmin për vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët e tij.
Haqif Mulliqi u lind në Pejë, në vitin 1960. Ka kryer studimet për doktoraturë për Antropologjinë e Dramës dhe Teatrit në Universiteti i Tiranës, Qendra për Studime Shqiptare Tiranë.
Mulliqi ka qenë korrespodent i luftës së Kosovës, në vitet 1998-1999, dhe mbahet mend për shkrime në mediat vendore dhe ndërkombëtare rreth luftës në Kosovë. Ai, në këtë kohë, pos tjerash, ka shërbyer edhe si përkthyes.
Që nga viti 2003, ka punuar profesor i Skenarit filmik dhe dramaturgjisë në Universitetin Publik të Prishtinës (Kosovë), në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Ka qenë prodekan në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe zëvendësministër i Kulturës në Kosovë etj.
Profesor Mulliqi ka shkruar mbi 300 kritika mbi dramën, filmin dhe teatrin. Për dhjetë vjet të plota, në Radio Televizionin e Kosovës ishte autor dhe drejtues i emisionit për film dhe teatër ‘Pro Arte.’
Nëpër teatrot më të njohura shqiptare ka vënë në skenë rreth 25 vepra, ndërsa ka marrë pjesë në mbi 80 festivale kombëtare, ndërkombëtare, me ç’rast ka fituar një numër çmimesh. Më i rëndësishmi është ai kur, në edicionin e 58-të të Festivalit Teatror të Edinburgut (Skoci, 2004), ku, me shfaqjen (tregjuhëshe) The Kosowars, nga juria e përbërë nga kritikët e gazetës The Scotsman, si dhe aktorët më eminentë të Teatrit Kombëtar Skocez, u rangua në dhjetëshen e parë të shfaqjeve më të mirë të atij viti e që është çmimi kryesor që jepet në atë festival.