12 janë pushuesit nga Kosova, të cilët janë helmuar teksa kanë qëndruar në një hotel në Shëngjin. Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Lezhë, Besmir Froku, ka përjashtuar çdo mundësi të helmimit nga ushqimi.
“Ditën e djeshme jemi vënë në diejni në rrugë jo zyrtare në lidhje me një dyshim të 12 personave të cilët kishin shkuar për të marrë mjekim në urgjencën e spitalit të Lezhës. Menjëherë, sapo jemi vënë në dijeni, kemi hapur një procedurë inspektimi të plotë të thelluar dhe kemi kërkuar bashkëpunimin e Sektorit të Hetimit të Krimit nga Ushqimit. Kemi hapur një autorizim me një trupë prej 5 vetash dhe kemi shkuar menjëherë në subjekt.
Sapo kemi shkuar atje, kemi konstatuar se aty ishin dhe 2 institucione të tjera, ishte Inspektoriati i Shëndetësisë dhe Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, të cilët po bëjnë procedurat e tyre inspektuese. Kemi filluar kontrollin e detajuar që nga dokumentacioni, që nga gjendja e kuzhinës dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me hetimin ushqimor. Kemi kërkuar që të merren dhe monstra për analizim, të cilat i kemi dërguar.
Subjekti i bën produktet në mënyrë të menjëhershme dhe po ashtu i servir në mënyrë të menjëhershme. Ato që kemi gjetur gjendje, ato kemi çuar për analizim. Nga informacionet që kemi, intoksikacioni ose dyshimet që ishin, nuk kanë lidhje me ushqimin fare. Ne si AKU jemi vazhdimisht në terren. Ky biznes ishte kontrolluar në mënyrë periodike duke qenë se është subjeket që funksionon gjatë gjithë vitit. Nuk kemi konstatuar asnjëlloj problematike dhe as shkelje, kushtet ishin dhe frigoriferat ruanin parametrat e ftohjes. Ne përjashtojmë çdolloj dyshimi nga helmimi nga ushqimi“, tha ai.