Ballkani e ka nisur me fitore ciklin kualifikues në Ligën e Kampionëve, duke treguar sërish fuqinë në Evropë.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja mposhti sonte Ludogoretsin, me kampionët bullgarë që vlerësoheshin si favorit deri para ndeshjes, shkruan Gazeta Express.
Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultatin 2:0. Kjo ishte përballja e parë mes këtyre dy skuadrave në kuadër të raundit të parë kualifikues në garën më prestigjioze për klube.
Pjesa e parë u dominua në tërësi nga kampionët e Kosovës, teksa golin e gjeten në fundin e saj.
Ishte Meriton Korenica që shënoi në minutën e parë shtesë – 45+1’.
Skuadra nga Suhareka e nisi më mirë edhe pjesën e dytë, duke dyfishuar epërsinë vetëm pas dhjetë minutave.
Qëndrim Zyba shënoi në minutën e 55-të, teksa asistues te goli i tij ishte Korenica.
Ballkani ia doli në vazhdim ta menaxhojë ndeshjen siç duhet, duke ruajtur edhe avantazhin prej dy golave.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 19 korrik, në “Ludogorets Arena”.