F.B.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar për përgjimet e publikuara në media të bisedës së shefes së GP-së së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq.
Ai ka thënë se me këto publikime “mashtrimit” të Qeverisë Kurti i ka ardhur fundit, teksa ka thënë se këtu zbulohet edhe arsyeja pse Kurti lavdëronte Oliver Ivanoviqin.
Hoti ka hedhur akuza edhe ndaj Kusari-Lilës duke e quajtur edhe si ndërmjetësuese të Kurtit e Radojqiqit.
“Sipas asaj që u raportua në media rezulton se përçmimi i Kurtit ndaj aleatëve të Kosovës (me shprehjet: ‘Shtëpia e Verdhë’, ‘Amelika’, ‘Sekretari i Shtetit naiv’, ‘BE-ja tigër prej letre’ e marrëzi të tjera) dhe lavdet për Oliver Ivanoviqin nuk kanë qenë reagime të momentit. Ato reagime duket se kanë qenë të koordinuara.
Zonja që shërben si ndërmjetësuese mes Kurtit dhe Radojqiqit shihet se e kryen punën me zell”, shkroi ai në Facebook.
Po ashtu ai thotë se këto publikime dëshmojnë se këta qeveritarë koordinohen me Serbinë dhe jo me Amerikën.
“Kjo zonja ndërmjetësuese, në emër të Kurtit, ka negocuar me atë që është në listë të zezë nga SHBA për shtrirjen e institucioneve të Kosovës në veri, për normalizimin lidhur me furnizimin dhe pagesën e energjisë e çështje të tjera.
Ja me kë kordinohen këta mashtrues, e jo me Amerikën”, thuhet në reagimin e tij të postuar në Facebook.