Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, thotë se derisa pushtetit i kërkohej bashkërendim me ndërkombëtarët, këtë paskan qenë duke e bërë me Milan Radojciqin, nënkryetari i Listës Serbe, i vënë në listën e zezë të SHBA-së dhe zyrtarisht në arrati.
Gjatë ditës është publikuar një audio incizim i një bisede të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje me nënkryetarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq. Nga portali “Nacionale” që e publikoi, biseda thuhet të jetë bërë para një viti dhe aty Simiq i thotë Kusarit se ajo ka folur me “Milanin”, që aludohet ta ketë fjalën për Radojciqin.
Azemi shkruan se pushteti kosovar, që i fitoi mbi 50 për qind të votave i është “nënshtruar” një personi që SHBA-ja e ka në listë të zezë.
Postimi i plotë i Azemit:
E vërteta e këtij pushteti sot doli edhe më zë. Koordinimi që ua kërkuam gjatë me ndërkombëtarët e që nuk e bënin, paskan qenë duke e bërë me Milan Radojičićin. Patriotizmi i proklamuar prej vitesh paska qenë fals si çdo qëndrim i këtij pushteti.
Një pushtet me mbi 50% që i nënshtrohet një njeriu që ShBA e ka në listë të zezë, nuk i duhet Kosovës. Nuk guxojmë të lejojmë që kjo qeveri e shumicës ta zhvendosë vullnetin e popullit në duart e kriminelëve që punojnë kundër Republikës tonë.
Është koha që ky pushtet të bie bashkë me koordinimin e tij të fshehtë me kriminelët.