Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “pret shumë telashe dhe probleme në Kosovë”, por nuk specifikoi më shumë.
Vuçiq i bëri komentet në shënimin e Vidovdanit në Beograd.
“Nuk e di se si do të shkojë me Kosovën. Ata përpiqen ta thyejnë dhe shkatërrojnë vendin tonë nga brenda”, tha Vuçiq në një tubim të organizuar nga Partia Përparimtare Serbe, në krye të së cilës ka qenë deri vonë.
Vidovdani është një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.
Patriarku serb, Porfirije, mori pjesë në një shërbesë përkujtimore në Graçanicë të Kosovës.
Ai tha se u bën thirrje të gjithëve që “të kontribuojnë për paqen në Kosovë”, ndërsa nga serbët e Kosovës kërkoi që “me shembullin e tyre, t’u japin mësim të gjithëve”.