Ai sqaroi se fillimisht do që të presë vizitën e Jetish Jasharit, ambasadorit të Kosovës në Serbi, në burgun e Kralevës, ku po mbahen tre policët e Kosovës të rrëmbyer në afërsi të kufirit në veri nga Policia e Serbisë. Bazuar në atë raport, tha se do të vendos nëse do të shkojë në takimin e thirrur nga Borrell në Bruksel apo jo.
Kryeministri Albin Kurti tha se ishte ai që ka kërkuar javën e kaluar takimin me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell.
“Por mu tha se duhet të shtensionohet situata. E më pas kishim arrestimin e tre policëve tanë në Leposaviq. Pra eskalimi u shtua”, tha kryeministri Kurti, pasi mori pjesë në akademinë solemne me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Institutit Albanologjik.
Ai tha vetëm pas këtyre ngjarjeve, është ftuar për një takim të radhës në Bruksel. ”E që nuk jam i sigurt nëse është menduar për datën 22 apo 23 qershor për shkak të mesazheve të ndryshme”, u shpreh Kurti para mediave.
Sidoqoftë, ai sqaroi se fillimisht do që të presë vizitën e Jetish Jasharit, ambasadorit të Kosovës në Serbi, në burgun e Kralevës, ku po mbahen tre policët e Kosovës të rrëmbyer në afërsi të kufirit në veri nga Policia e Serbisë.
“Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng, po mbahen rob në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë, do ta marrë vendimin dhe do ta jap njoftimin”, tha kryeministri Kurti.