“Këto masa nuk janë diçka që BE-ja i ka marrë me lehtësi, por janë masa sepse deri më tani nuk kemi parë asnjë hap drejt deeskalimit. Janë instrumente që po përdorim për të treguar se BE-ja është serioze në pritjet për de-përshkallëzim dhe reagimeve kur kjo gjë nuk po ndodhë”, ka deklaruar zëdhënësi Bashkimit Evropian Peter Stano.
Ai ka konfirmuar sërish se nuk janë këto sanksione në kuptimin klasik të fjalës, por masa të përkohshme e të kthyeshme, sapo të plotësohet kërkesat evropiane për hapat që duhet ndërmarrë Qeveria e Kosovës drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.
Stano konfirmoi pritjet e Bashkimit Evropian që kryeministri i Kosovës Albin Kurti t’i ndërmerr hapat e domosdoshëm.
Kërkesat konkrete që duhet plotësuar Qeveria e Kosovës, i përsëriti shefi I diplomacisë evropiane Josep Borell në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës.
Ato përfshijnë suspendimin e menjëhershëm të operacioneve policore rreth objekteve komunale në veri, largimin e kryetarëve të komunave nga këto objekte në ndërtesa alternative si dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale për këto katër komuna.
Pa plotësimin e këtyre kushteve, sipas Borell, nuk ka hapësirë për vazhdimin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.