Zhvillimet të cilat ndodhën pothuajse në dy muajt e fundit të vitit që sapo e lamë pas, e sidomos në muajin dhjetor, ku disa serbë në veri të Kosovës vendosën barrikada, kështu duke e bllokuar lëvizjen e lirë dhe qasja e autoriteteve kosovare karshi kërkesave të aleatëve ndërkombëtarë, nga Isa Mustafa po shihen si boshllëqe.
Në një intervistë dhënë për “Zërin”, Mustafa thotë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti duhet t’i dëgjojnë kërkesat dhe propozimet e aleatëve ndërkombëtarë, SHBA-së dhe BE-së, pasi sipas tij politikat e aleatëve nuk po konvergojnë me sjelljet dhe politikat e udhëheqësve shtetërorë.
“Ngjarjet e fundit dëshmuan për boshllëqe në bashkërenditjen e politikave me partnerët tanë strategjikë. Deklarata e fundit e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe e BE-së, deshëm ose jo, flet për një kurs të ri ndaj veriut të Kosovës; për një vlerësim krejtësisht tjetër të ngjarjeve atje nga vlerësimi i institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës. Qeveria dhe presidentja duhet të kenë veshë për këtë, sepse politikat e aleatëve nuk po konvergjojnë me politikat dhe sjelljet e tyre”, u shpreh Mustafa.