Për herë të parë nga themelimi i saj, Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) bëhet me ligj.
Përmes një njoftimi për media nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, thuhet se më datën 07.06.2023 në Kuvendin e Kosovës është votuar Ligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.
Sipas njoftimit, miratimi i këtij ligji garanton pavarësinë institucionale dhe financiare të AKA-së, ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë, internacionalizimin e sistemit tonë të arsimit dhe hapë rrugë për kthimin e AKA-së në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian për Rritje të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Në njoftim thuhet se ky Ligj është miratuar pas një pune të gjatë dhe me përkushtim të grupeve punuese të MASHTI-t, Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës, dhe vullnetit politik për përkrahje të pavarësisë së AKA-së.
Kryetarja e Këshilli Shtetëror i Cilësisë Hasnije Ilazi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim Naim Gashi, që kanë marrë pjesë në takime të shumta të grupeve punuese, e kanë mirëpritur miratimin e Ligjit për AKA-në.
Kryetarja Ilazi dhe drejtori Gashi, në emër të KShC dhe AKA-së falënderojnë Ministren e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, Qeverinë e Kosovës, anëtarët e Komisionit për Arsim të Kuvendit dhe Kryetarin e këtij Komisioni, Ardian Gola, deputetët e Parlamentit të Kosovës, Zyrën e Komisionit Evropian në Prishtinë, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, donatorët ndërkombëtarë, shoqërinë civile, komunitetin akademik, studentët dhe mediat për kontributin e tyre në arritjen e këtij suksesi të përbashkët.
“Ligji për AKA është një tregues për ekzistimin e një kohezioni nacional për cilësinë në arsimin e lartë. Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që posedon ligj për akreditim dhe kjo është një arritje e madhe, e cila vendosë AKA-në dhe Kosovën si lidere në rajon sa i përket ngritjes së cilësisë në arsimin e lartë”, thuhet në njoftim.