Vizionin e tij për draft-statutin e Asociacionit do të konkretizonte nëse ka pajtueshmëri në parim për shtyllat e tij. Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës.
“Unë këtë mund të thellojë (vizionin për statutin e Asociacionit), por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim”, tha Kurti.
Ai sqaroi se nuk mund të shkruajë statutin e Asociacionit dhe pastaj të kërkohet një kompromis për atë, pa pasur në fillim pajtim për parimet e tij.
Pra kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendën që unë i kam thënë në parim, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin”, tha kreu i Qeverisë së Kosovës.
Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi në lidhje me këtë çështje, kryeministri u shpreh se nuk mund të shkruhen tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim.
Kurti ka thënë se vizioni i tij i prezantuar është bazuar në modelin kroat për pakicat kombëtare kurse përsëriti mospajtimin me draftin e statutit të Asociacionit, të hartuar nga ish-ekipi menaxhues, të cilin e ka shkarkuar.
“Qeveria ime nuk është pajtuar me draftin e ekipit menaxhues pasi imitonte në përmbajtje dhe formë Republikën e Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha kryeministri.
Ai shpjegoi se ka propozuar një draft vizion për të zbatuar nenin shtatë të marrëveshjes bazike dhe në lidhje me nenin 10.
“Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit për zbatimin e nenit shtatë të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel, i cili prezanton shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë, konsensusin trans-atlantik të vlerave demokratike dhe liberale”.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët.