Prishtina pritet të luajë në kualifikimet e Conference League.
Klubi me më së shumti histori nga futbolli kosovar ka fituar Kupën e Kosovës në ndeshjen e zhvilluar të hënën kundër Gjilanit në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Ndeshja e cila nuk ka njohur shumë raste ka përfunduar me rezultat 2-0.
Pjesëloja e parë është mbyllur pa gola.
Pjesa e dytë ka qenë diçka më ndryshe, ku skuadra e drejtuar nga Debatik Curri ka gjetur rrjetën dy herë.
Ka qenë minuta e 67′ kur ka realizuar fillimisht Hamiti e pastaj vetëm nëntëminuta më vonë Pefqeli me një goditje të fortë nga distanca ka shënuar një gol të bukur me të cilin edhe është vulosur fitorja e Prishtinës.
Tifozët e Prishtinës, të cilët në duar mbanin pankartë ku ishte shkruar: “Armiku i klubit është vetë Kryesia”, kanë ndërprerë ndeshjen për një moment pasi kishin hedhur në fushë lëndë djegëse.
Në Superligë, Gjilani kishte përfunduar në pozitën e tretë, ndërsa Prishtina në vendin e pestë.