Pas vendimit të Komitetit Ministror që t’ia përcjellë kërkesën e Kosovës për anëtarësim, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës së fundi ka ndërmarrë hapa për të proceduar tutje këtë çështje.
Presidenti i Asamblesë Parlamentare në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të KiE ka caktuar dy juristë të cilët do të bëjnë një raport vlerësimi për Kosovën.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili është pjesë e delegacionit të deputetëve kosovarë në Këshillin e Europës, ka treguar emrat e juristëve.
Avokati gjerman Thomas Markert dhe avokatja finlandeze Sia Spiliopoulou Akermark janë dy juristët që do të merren me hartimin e raportit për Kosovën. I pari ishte i përfshirë në hartimin e kushtetutave të shteteve të rajonit, përfshirë edhe atë të Kosovës, ndërsa Akermark ka në fushë të interesit minoritetet.