Diçka e pazakontë po ndodh në futbollin e Kosovës. Gjyqtari që është bërë ndër më i përfoluri në futbollin kosovar, Mervan Bejtullahu tashmë është bërë edhe më i përfolur.
Mund të duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Ky gjyqtar brenda 24 orëve i referon dy ndeshje tepër të rëndësishme dhe vendimtare, shkruan Gazeta Express.
Bejtullahu sot ishte gjyqtar kryesor në duelin e barazhit të Ligës së Parë mes Ulpianës dhe Lirisë, e luajtur në Klinë.
Fitues i këtij dueli ishte Liria me rezultat 3:1 dhe do të përballet me ekipin që mbetet në barazh në Superligë, për inkuadrim në elitën e futbollit kosovar.
Ndërsa, për nesër i njëjti gjyqtar është deleguar për ta ndarë drejtësinë në duelin Ferizaj-Dukagjini, ndeshje kjo që mund të vendosë se kush do të shkojë në garat evropiane dhe po ashtu se kush do të bie nga Superliga.