Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar për emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, tha se emërimi i Aliut dëshmon se qeveria e tanishme e ka mision të pengojë fjalën e lirë, duke synuar kapjen e mediave.
Sipas tij, mediat deri sot u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe, natyrisht, qeverive të dështuara, të cilat, përveç aferave dhe degradimit nuk prodhojnë asgjë tjetër.
“Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave. Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi tha se vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e fatkeqësisht, kjo, sipas tij, po ndodh tash e dy vjet në vendin tonë.
“Larg duart nga mediat”, përfundoi ai.