Skuadra e Istogut udhëton për në Vushtrri me synim për ta siguruar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll (femrat).
Istogu e ka fituar bindshëm ndeshjen e parë finale, ndërsa gjatë gjithë edicionit ka vetëm fitore.
Ndeshja e dytë e finales së plejofit luhet të mërkurën prej orës 19:00 në palestrën në Vushtrri.
Përballë Istogut do të jetë Vushtrria.
Te Istogu janë shumë optimiste para ndeshjes së dytë finale.
Kapitenja Albina Rugova ka folur me krenari për të arriturat e skuadrës.
“Skuadra është e përgatitur dhe të gjitha jemi të gatshme.
Presim të realizojmë synimin që e kemi, mbrojtjen e titullit të kampionit.
I kemi fituar të gjitha ndeshjet, kemi luajtur si ekip dhe mendoj që e kemi merituar plotësisht.
Presim ta festojmë titullin e tretë në histori të klubit nesër në Vushtrri.
Jam shumë e lumtur që klubi në të cilin jam rritur, sot është një prej më të suksesshmëve në Kosovë.
Për mua është kënaqësi dhe nder që jam kapitene e Istogut”, ka thënë Albina Rugova.