Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës s’do të jetë i lehtë, pavarësisht se muajin e kaluar u bë një hap në atë rrugë. Zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit do të jetë kusht i rëndësishëm në këtë synim. Përveç kësaj, do të duhet implementimi i marrëveshjeve të dialogut, përfshirë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Para një muaji Kosova mori lajmin e mirë për synimin e saj për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës. Komiteti i Ministrave votoi me mbi 2/3 e votave të shteteve anëtare pro procedimit të aplikimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Europës.
Vendimi erdhi pasi ndërkombëtarët vlerësuan se u arrit një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ajo për rrugën drejt normalizimit. Marrëveshja shërbeu si dëshmi se procesi i anëtarësimit përfundimtar të Kosovës në KiE është i lidhur me dialogun. Dhe procesi lëvizi vetëm një vit pas aplikimit.
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Bashkimit Europian para dy ditësh i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë plotësisht dhe me urgjencë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.
QUINT-i e tha qartë se ky është një kusht për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.