Në takimin e sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, ministrat e vendeve anëtare do të diskutojnë për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Atyre do t’iu bashkohen edhe ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimeve nga Bashkimi Evropian temat kryesore që do të jenë në rend dite janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Evropian pritet të përsërisë edhe një herë përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende të kryejnë obligimet e marra për të zbatuar reformat dhe për t’u përshtatur edhe me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.