Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nisur vizitën në Romë më 13 maj. Vizita e Zelenskyt vjen pak kohë pasi Rusia kreu një sulm të madh me dronë në Kiev dhe granatoi qytetet në qendër dhe jug të Ukrainës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Po ashtu, vizita në Romë vjen në kohën e raportimeve se Ukraina ka bërë përparim në Bahmut, qytet në lindje të shtetit, ku luftimet e ashpra po vazhdojnë për muaj të tërë.
Në Romë, Zelensky do të takohet me presidentin italian, Sergio Mattarella, kryeministren Georgia Meloni dhe Papa Françeskun.
Papa Françesku muajin e kaluar u tha gazetarëve se Vatikani është i përfshirë në mision të paqes, me synim për t’i dhënë fund konfliktit që u shkaktua nga pushtimi rus i Ukrainës.
Vizita e presidentit ukrainas në Romë vjen në ditën e njëjtë që Gjermania njoftoi për paketën e re të ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh. Kjo është paketa më e madhe që Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës, që kur ka nisur pushtimi.
Ndërkaq, Zelensky më 14 maj pritet që në qytetin gjerman Açen të pranojë Çmimin prestigjioz Charlemagne.
Ende është e paqartë nëse Zelensky do të pranojë personalisht këtë çmim dhe nëse ai do të udhëtojë për në Berlin për takim me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier.
Gjatë natës, mbrojtja ajrore e Kievit ka rrëzuar të gjithë dronët e lëshuar nga Rusia, tha administrata ushtarake e kryeqytetit ukrainas, pa specifikuar numrin e dronëve.
Ende nuk ka raportime për dëme apo viktima, por ky është sulmi i gjashtë me dronë në Kiev gjatë këtij muaji.
Ndërkaq, në Kmelnitski, në Ukrainën qendrore, disa persona janë plagosur dhe ka pasur dëme në infrastrukturën kritike, pas granatimeve ruse gjatë natës, raportuan autoritetet ukrainase.
Edhe në Mikolajiv, autoritetet kanë raportuar për tre të plagosur pas granatimeve ruse, ndërkaq është raportuar edhe për dëme në një fabrikë dhe në disa ndërtesa të banueshme./rel