Rreth 27 të rinj, kryesisht fëmijë, mbetën të lënduar të enjten, më 11 maj, në Finlandë, kur një urë e përkohshme u shemb pranë një kantieri ndërtimi, thanë zyrtarët finlandezë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 9:20 të mëngjesit, sipas orës lokale në Espo, afër kryeqytetit Helsinki, kur dërrasat mbi urë nuk mbajtën dhe grupi ra pesë deri në gjashtë metra në trotuarin e një rruge të vogël anësore.
Shumica e të plagosurve ishin nxënës të klasës së tetë, rreth 14 ose 15 vjeç, të cilët ishin në një udhëtim shkollor, thanë zyrtarët e qytetit. Në mesin e të lënduarve është edhe mësuesi i tyre.
Njëzet e katër persona u transferuan në spitale të ndryshme në rajonin e Helsinkit.
“Askush nuk ka lëndime që rrezikojnë jetën”, njoftoi shërbimi spitalor HUS i Helsinkit, duke shtuar se shumica kishin gjymtyrë të thyera.
“Nuk ka asnjë tregues se ekziston rreziku i paralizës, por ka lëndime në kokë”, u tha gazetarëve drejtori mjekësor i HUS-së, Eero Hirvensalo.
Shkaku i shembjes nuk është konfirmuar dhe është duke u hetuar, njoftuan autoritetet e qytetit Espo.
Kreu i departamentit të arsimit të qytetit në Helsinki, Sattu Jarvenkalas, tha për AFP-në se të lënduarit janë nxënës nga shkolla e mesme Kalasatama në kryeqytet.
“Ata ishin në një udhëtim të rregullt në Muzeun e artit Ema. Pastaj, ndodhi aksidenti” tha ajo.
Sipas saj, në shkollë u formua një ekip krize.
Qyteti i Espo njoftoi se më 5 maj, në ndërtesë u kryen inspektime e fundit javore.
Kontraktuesi, Jarno Tuuri, kompania e të cilit ndërtoi urën, tha për të përditshmen Iltalehti se “asgjë e pazakontë nuk është vërejtur” gjatë kontrolleve javore.
“Sigurisht se situata është shumë e keqe. Tani po kontrollojmë të gjitha strukturat dhe po bëjmë përforcimet e nevojshme shtesë”, tha ai.
Drejtori i shërbimeve të qytetit të Espo, Yuka Makela, shprehu keqardhjen e tij për të lënduarit dhe shtoi: “Kjo, thjesht, nuk duhej të ndodhte”.
“Lajm tronditës nga Espo. U japim forcë të plagosurve në aksident dhe të dashurve të tyre. Jeni në mendimet tona”, shkroi kryeministrja Sana Marin në Twitter./REL